Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 13:22

Sarandë – Policia e Sarandës njofton se ka nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj një punonjësi të gjendjes civile, pasi dyshohet se ka manipuluar qëllimisht listat e zgjedhësve, duke favorizuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”.

“Rreth 40 zgjedhës nga komuna e Markatit u është privuar e drejta për të votuar në 8 maj. Pas grumbullimit të provave materiale kanë nisur hetimet ndaj punonjësit të gjendjes civile, Kamber Myrta, 45 vjeç”, thekuan burime zyrtare.

“40 zgjedhësit rezultonin në listën përfundimtare, por punonjësi i gjendje civile i ka hequr nga lista qëllimisht ata”, tha policia.

Ndërkaq, mësohet se KZAZ nr. 65 i ka dhënë rrugën e zgjidhjes problemit të votuesve.

“Organi i administrimit zgjedhor i është drejtuar gjykatës për rastin në fjalë. Kjo e fundit i ka dhënë të drejtën zgjedhësve të ushtrojnë lirisht të drejtën e votës”, pohoi Guri Tartari, kryetar i kësaj KZAZ-je.