Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 15:21

Sarandë – Në kuadër të takimeve të tij për fushatën elektorale, kandidati për bashkinë e Sarandës, Edmond Gjoka, nga “Aleanca për qytetarin”, prezantoi në hotel “Butrinti” programin e tij elektoral përpara personelit të spitalit “Petro Nako”.

Gjoka vlerësoi investimet e bëra në urgjencën e spitalit dhe në infrastrukturën e këtij institucioni në këto vitet e fundit si dhe u shpreh mirënjohës për punën e mjekëve, veçanërisht në sezonin e verës, kur popullsia e qytetit shkon në disa qindra mijë banorë.

Sipas tij, puna e mjekëve është një vlerë e vërtetë humane, e cila ka marrë edhe vlerësimin e mijëra turistëve të huaj, që vizitojnë Sarandën e që shpesh kanë pasur nevojë për ndërhyrje mjekësore. Në takimin me mjekët, kandidati democrat, Gjoka, shprehu gadishmërinë e tij për ta mbështetur spitalin dhe personelin mjekësor në misonin e tyre të madh në shërbim të qytetarëve dhe për të insistuar për financime pranë qeverisë.

“Bashkia e Sarandës ka vlerësuar vazhdimisht punën e personelit spitalor për vlerat njerëzore dhe humane të mjekëve. Ky vlerësim do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Gjoka.