Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 21:07

Gjirokastër – “Më 8 maj, shqiptarët do të votojnë për të zgjidhur krizën politike”, deklaroi sot në mbrëmje Gramoz Ruçi, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të ardhmen” për Bashkinë e Gjirokastrës, Flamur Bime.

Sipas tij, nëqoftëse këto zgjedhje do të ishin zhvilluar në një ditë normale, atëherë do të kishim zgjedhje administrative dhe jo politike. “Jemi në një krizë të gjatë politike. Nuk e themi ne, por ndërkombëtarët, të cilët vazhdimisht vijnë në vendin tonë për të zhbllokuar ngerçin, qysh prej zgjedhjeve të 28 qershorit”, theksoi Ruci.

Ndërsa, Flamur Bime, kandidati i koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen”, përfaqësues i PS, tha se “Gjirokastra edhe këtë herë do të votojë alternativën më të mirë për të udhëhequr për katër vitet e ardhshme qytetin e gurtë”.

“Gjatë shtatë viteve të fundit, pushteti vendor i drejtuar nga socialistët ka ndryshuar qytetin, duke përmirësuar të gjithë sistemin e infrastrukturës rrugore, si dhe ka ulur taksat në nivel lokal, gjë që ka ndikuar në rritjen e cilësisë së jetës”, specifikoi Bime.