Lajme Shqip Sunday, 15 May 2011 12:34

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të tabelave përmbledhëse të KZAZ-ve për rezultatin e kandidatëve për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Kreu i KQZ-së, Arben Ristani në një komunikim, sot me mediat, deklaroi se, sipas ligjit, KQZ-ja merr tabelat nga KZAZ-të e Tiranës dhe do t’i bëjë atyre një verifikim për mënyrën sesi është pasqyruar rezultati.

“Brenda 48 orëve, nga momenti që mblidhen të gjitha tabelat, do të ketë një tabelë përmbledhëse për rezultatin në Tiranë”, sqaroi Ristani.

Sipas tij, deri tani në KQZ kanë ardhur më shumë se gjysma e tabelave.

Më tej Ristani deklaroi se, “KZAZ-të janë duke i dorëzuar tabelat në KQZ dhe besoj se sot duhet të mbarojë si proces”.

Një ditë më parë, në KZAZ-të e Tiranës, përfundoi numërimi i fletëve të votimit për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Në zgjedhjet lokale të 8 majit si kandidatë për kreun e Bashkisë së Tiranës, konkurruan Luzim Basha i “Aleancës për Qytetarin”, Edi Rama i “Aleancës për të Ardhmen” dhe Hysni Milloshi i Partisë Komuniste.