Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 08:25

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkoi dje komisionerëve të KZAZ-së nr.49, në njësinë bashkiake nr.5 në kryeqytet, që të përmbyllin me urgjencë procesin e numërimit të votave dhe të sjellin në KQZ kutitë e votimit që mbartin fletë të panumëruara për kandidatët për kryetar bashkie apo këshill bashkiak.

Në mbledhjen e pasdites, Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha se në përgjithësi KQZ ka punuar me shumë energji për të zgjidhur çështjet që dilnin si nga procesi përgatitor i zgjedhjeve, ashtu edhe gjatë ditës së votimit apo periudhës së numërimit.

“Ne kemi ndërhyrë shpejt, kemi shkarkuar komisionerët dhe kemi zgjidhur situatat. Gjithësesi tani kemi konstatuar se rezultati në këto zgjedhje nuk mund të dalë vetëm nga numërimi i një pjese të votave, por duhen numëruar të gjitha votat, në mënyrë që të kemi një rezultat”, tha Ristani.

Në këtë drejtim , ai theksoi se ka sinjalizime se në KZAZ nr.49 ka vota ende të panumëruara për kryetarin dhe për këshillin e bashkisë, por 4 komisionerë të kësaj KZAZ-je kanë firmosur kundër tabelës së rezultateve.

“Kjo do të thotë se aty ka gabime dhe sipas informacionit që ne kemi, ata kanë bërë shënimet e tyre në librin e protokollit të mbledhjeve. Ndaj KQZ duhet të tërheqë këtë libër”, tha Ristani.