Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 17:22

Tiranë – Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani tha të hënën pasdite se KQZ ka dhënë vetëm rezultate të sakta për votimet e 8 majit, të zhvilluara dje.

Mbledhja e pasdites e Komisionit nisi me debate të forta mes kryetarit të KQZ-së dhe përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste, Genci Gjoncaj. Ky i fundit pretendoi se të dhënat e publikuara nga KQZ nuk pasqyrohen në mënyrë korrekte dhe sipas ligjit.

“Të vihet sa më shpejt në funksion faqja e internetit e KQZ-së dhe të ndalohet praktika e dhënies së shifrave jokorrekte”, tha Gjonçaj.

Kryetari Ristani akuzoi përfaqësuesin e opozitës se në mënyrë të përsëritur po tenton të hedhë baltë mbi punën e KQZ-së duke bërë deklarata të pavërteta.

“KQZ ka publikuar vetëm të dhëna të sakta. Nëse dyshoni, së bashku me personelin e KQZ-së, keni mundësinë që të shkoni tek data baze, të verifikoni dhe të provoni pretendimin tuaj”, iu drejtua Ristani përfaqësuesit ligjor të PS-së.