Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 15:18

Tiranë – Zyrtarë të lartë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale e cilësuan sot tejet pozitive atmosferën në ditën e zgjedhjeve si dhe mirëorganizimin e zhvillimit të votimit.

Gjatë prezantimit të raportit paraprak të OSBE/ODHIR-it, kreu i delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Hana Richtermocová, tha se “në kundërshtim me situatën tejet të tensionuar politike, që ishte para zgjedhjeve mes dy koalicioneve politike, bashkëpunimi mes anëtarëve të komisioneve të qëndrave të votimit ka qënë shumë i mirë”.

Richtermocová vuri në dukje se “ne jemi befasuar nga organizimi i mirë i procesit të votimit”.

Lidhur me sistemin e ri të numërimit të votave, zyrtarja e lartë e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale e konsideroi si “një mbështetje të rendësishme për të siguruar transparencën, por jemi të shqetësuar për faktin se procesi i numërimit po zgjat në kohë”.

Në përfundim, Hana Richtermocová shprehu gadishmërinë e anëtarëve të Kongresit për të ndihmuar përfaqësuesit e rinj vendorë të Shqipërië që ata të zhvillojnë dhe të pëmirësojnë demokracinë vendore në vend.

Edhe Raportuesi i delegacionit të Kongresit, Volkram Gebel, vlerësoi atmosferën pozitive ditën e zgjedhjeve e cila , sipas tij, ka qënë në kundërshtim të plotë me atë që kemi hasur gjatë takimeve që kemi bërë me zyrtarë, drejtues të forcave politike apo me organizata e ndryshme në Tiranë dhe në Shkodër.

“Mënyra se si u zhvillua votimi ka qënë e mirorganizuar dhe në mënyrën e duhur, megjithatë kemi vënë re disa probleme dhe një prej tyre ka qënë fakti se disa qëndra votimi janë hapur me vonesë”, përfundoi raportuesi i Kongresit.