Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 06:05

Tiranë – Lideri i opozitës, Edi Rama, ka deklaruar mbrëmë se vota për mazhroancën e drejtuar nga Sali Bersisha është votë për rrënimin ekonomik, për shkatërrimin urban dhe shthurjen sociale.

“Mos votoni kukullat e Saliut, sepse modeli i tyre është modeli i shkatërrimit urban, modeli i shthurjes urbane, i rrënimit ekonomik me themele në një vizion të mbrapshtë të administrimit të territorit”, u shpreh kryetari i PS-së.

Rama nënvizoi edhe njëherë idenë e tij se zgjedhjet e 8 majit janë tërësisht politike, prandaj në 8 Maj populli duhet të ndalë regjimin e kusarisë.

“Zgjedhjet e 8 Majit, jo vendore po thjesht politike, që qytetarët të shprehen për çka ka ndodhur në dy vjet, të shprehen për një rrugë të re të zhvillimit të territorit. Ta projektojmë të ardhmen nëpërmjet veprave. Nëse vazhdohet me ide, e veprime konkrete si i yni mund të transformojmë qytetin tonë”, shtoi Rama.

Kryebashkiaku Edi Rama i bëri këtë deklarata gjatë prezantimit të kandidatit  për njësinë bashkiake numër 9, Armond Halebi, ku premtoi se zhvillimi i kryeqytetit është rruga e vetme që kanë zgjedhur të gjithë përfaqësuesit vendorë të kësaj force politike.