Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 18:13

Tiranë – Kryetari në detyrë i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prezantoi sot projektin e lumit të Tiranës, në kuadër të prezantimit të projekteve për zhvillimin e kryeqytetit  për një mandat katërvjeçar, për të cilin ai kandidon si përfaqësues i Partisë Socialiste.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Rama tha se projekti i bashkisë synon të transformojë lumin e Tiranës që sot është një korridor problematik shumë i rënduar nga pikpamja mjedisore dhe ekonomike.

“Ky është rasti për të parë se si e shohim ne rrugën drejt së ardhmes, si e vetmja rrugë për të shkuar përpara duke shfrytëzuar potencialet që ka vendi, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe jo në funksion të përfitimit të pak njerëzve, në kurriz të qytetarëve”, tha kryebashkiaku.

Sipas tij, projekti i lumit Lana ballafaqon dy alternativa të ndryshme: ajo për të nesërmen dhe rruga që duhet të ndjekim drejt së ardhmes dhe qasjes natyrore drejt zhvillimit.

“Sot ne kemi dy modele qartësisht të dallueshme: modelin e zhvillimit të Tiranës si një model zhvillimi të integruar dhe modelin e zhvillimit që e gjejmë menjëherë sa kalojmë kufijtë administrativë të Tiranës në ullishtat e Selitës ku ka filluar një barbarizëm me pasoja mbi territorin dhe vetë ekonominë; apo në Kamëz, Paskuqan e Kashar ku kemi një zhvillim të paqëndrueshëm që bazohet në fuqinë investuese të individit, por që nuk gjenerojnë kohezion territorial, social dhe ekonomik”, u shpreh Rama.

Ndaj, theksoi ai, zgjedhjet e 8 majit janë politikë për të përcaktuar drejtimin e politikës kombëtare mbi territorin dhe për të përcaktuar marrëdhëniet që do të ndërtohen nesër mes komuniteteve si një domosdoshmëri për t’i kapërcyer kufijtë e sotëm që ndajnë njësitë vendore dhe për të filluar një epokë të re planifikimi strategjik të integruar mes njësive vendore.