Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 17:51

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi sot ndaj asaj që e cilësoi dhunë e ushtruar nga Policia e Shtetit kundrejt dy mbështetësve të opozitës, ndërsa apeloi në adresë të komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë sa nuk është vonë për situatën e krijuar paszgjedhore në vend.

“Drejtuesit e Policisë së Shtetit do të jenë personalisht përgjegjësit e drejtpërdrejtë para ligjit për këtë dhunë të patolerueshme në rast se nuk nxjerrin para përgjegjësisë ligjore dhunuesit e dy qytetarëve opozitarë”, u shpreh kryetari Rama gjatë një deklaratë për shtyp nga selia e PS-së.

Duke vlerësuar mesazhet e fundit të përcjella nga komuniteti ndërkombëtar, ai kërkoi edhe njëherë ndërhyrjen e tyre sa nuk është vonë. “Sot duhet të bëni patjetër diçka që degjenerimi i këtyre zgjedhjeve te mos e kthejë Shqipërinë hapa prapa”, u shpreh Rama.

Kreu socialist paralajmëroi edhe njëherë se nëse nuk ndalet vjedhja e votës, opozita nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, qeverinë dhe parlamentin.

“Nëse Berisha nuk do të ndalet ne nuk do ta njohim më qeverinë e tij, nuk do ta njohim parlamentin e tij dhe institucionet e pavarura, por do të njohim vetëm Kushtetutën e Shqipërisë dhe do të mbrojmë me çdo çmim liritë dhe të drejta që na jep Kushtetuta”, tha Rama, ndërsa ripërsëriti se fitorja në zgjedhje ka qënë e pastër.