Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 10:53

Tiranë – Kryetari në detyrë i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, njëkohësisht kandidat i PS-së për këtë post, vijoi të dielën prezantimin e kandidatëve të koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen” në dy njësi bashkiake të kryqytetit.

Gjatë prezantimit të Enada Alikajt, kandidate për kryetare të minibashkisë nr. 10, Rama tha se Tirana sot është kryeqyteti jo vetëm i të sotmes, por dhe i të ardhmes dhe ne jemi krenarë që mishërojmë këtë ambicie.

“Ne e mishërojmë këtë pasion dhe ëndërr për Tiranën, kryeqytetin europian të Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve. Të gjithë janë dëshmitarë të rrugëtimit tonë për të ardhur deri këtu, të rrugëtimit tonë të nisur nga një Tiranë e varrosur nën betonin e ndërtimeve të paligjshme dhe plehrat e kudondodhura”, u shpreh Rama.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku akuzoi qeverinë se po përbaltë punën e kryer nga bashkia e Tiranës për zhvillimin e kryeqytetit.

“Qeveria, e cila ka investuar pa fund dhe pa pushim në një propagandë të shfrenuar për të përbaltur gjithë këtë punë, për të përbaltur bashkinë e Tiranës, ju merr familjeve të zakonshme kryeqytetase 50 herë më shumë taksa”, u shpreh ai.

Në kuadër të fushatës elektorale, kryetari Rama prezantoi në njësinë bashkiake nr. 11, në Kamëz kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Rakip Suli. Në fjalën e mbajtur para mbështetësve të PS-së, ai u ndal tek problemi i legalizimit të ndërtesave, duke theksuar se Kamza është përdorur për 20 vite me radhë për fushatë elektorale dhe se edhe sot, pas 20 vjetësh, vazhdon të ketë ndërtesa të palegalizuara.

Më tej, Rama foli për papunësinë, që sipas tij, ka prekur gjithë shqiptarët, demokratë e socialistë. Ai ftoi banorët e  Kamzës të votojnë kandidatin e opozitës, si alternativa e premtimeve të mbajtura. “Kamza do të bëhet qyteti që do të jetë prova e patundshme e bashkimit tonë përtej të majtës e të djathtës, përtej flamujve të partive, përtej përkatësisë krahinore, përtej gjithçka që politika e vjetër e ka përdorur për ta ndarë, ndërkohë që ne kemi arsye vetëm për t’u bashkuar”, tha kryetari i PS-së.