Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 08:48

Fushë-Krujë – Kryetari i PS, Edi Rama, njëkohësisht kandidat për kryetar bashkie i Tiranës për një mandat të katërt, gjatë takimeve me elektoratin në kuadër të fushatës për zgjedhjet vendore të 8 majit apeloi për pjesëmarrje të lartë në këtë proces, ndërsa premtoi se socialistët do të ndërtojnë një model zhvillimi të qëndrueshëm në vitet e ardhshme.

Në takimet me banorë të njësisë bashkiake nr. 9 në kryeqytet, i shoqëruar dhe nga kandidati për kryetar të kësaj minibashkie, Armond Halebi, Rama u shpreh se “8 maji është dita për t’i dhënë faturën e keqqeverisjes Saliut”.

“Biznesi i vogël i paguan qytetit mesatarisht rreth 1 milionë lekë në vit, 4 herë më shumë i paguan qeverisë në vit me TVSH, tatim fitimi, sigurime shëndetësore, shoqërore, etj, dhe plus edhe kasa fiskale. Ndërkohë, ato që biznesi  paguan për Bashkinë i ka të përfshira në pemë, gjelbërim, ndriçim, rrugë pastrim”, tha kreu i PS-së.

Rama  gjatë një mitingu elektoral në Fushë-Krujë prezantoi kandidatin socialist për bashkinë e qytetit, Gjon Bardhi. Ai tha se “ne të gjithë besojmë, se më 8 maj me votën tuaj ne mund të hapim një rrugë të re për Fushë Krujën, Krujën, dhe të gjithë qarkun e Durrësit”.

Rama nënvizoi se çdo qytetar i këtij vendi që nuk jeton në oborrin e pushtetit është i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e një ndryshimi të madh, për të fituar kohën e humbur me politikën e vjetër të shpenzimeve e të shpërdorimeve pa fund që nuk ka sjellë mirëqenien që meritojnë qytetarët.

Duke iu drejtuar banorëve të Fushë Krujës, ai  tha se duke votuar për kandidatin socialist ata do të bëjnë një investim të sigurt për të nesërmen e qytetit. “Ne të gjithë së bashku do të mund të ndërtojmë këtu në Fushë Krujë një model të mirë zhvillimi të qëndrueshëm, një model të mirë bashkëjetese qytetare mes të gjithë qytetarëve të saj, qofshin socialistë, qofshin demokratë, që janë sot në një rrugë ku nuk ka asnjë perspektivë. 8 maji është dita për t’i dhënë fund një periudhe vështirësish të krijuara nga një pushtet i vjedhur, për të vjedhur Shqipërinë.