Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 06:57

Shkodër – Lideri i opozitës shqiptare Edi Rama ka deklaruar se besimi qe Shkodra i jep prej 20 vitesh Partisë Demokratikë nuk i është kthyer asnjëherë  nga qeverisja aktuale e cila vijon ta përmbysë me ujë këtë qytet.

Gjatë fjalës së tij para shkodranëve, Rama u shpreh: “Motra dhe vëllezër, është sot dita për t’u thënë të gjithë shkodranëve, se besimi i pakursyer që i kanë dhënë Saliut, Jozefinës dhe Partisë Demokratike ka qenë një investim shpirtëror, moral dhe politik gjithmonë e më pak i respektuar nga ata që në lartësinë e kullës së pushtetit i tregojnë Shkodrës përralla dhe broçkulla ndërkohë që Shkodra mbytet e përmbytet për shkak të mungesës së qeverisjes, për shkak të mungesës së vëmendjes, për shkak të mungesës së një politike zhvillimi e mbi të gjitha për shkak të braktisjes. Të një braktisjeje të patolerueshme që është rezultat i bindjes se Shkodrën e kanë në xhep dhe se me Shkodrën mund të bëjnë çfarë të duan, sepse në fund të fundit shumica e shkodranëve përsëri do të votojë për ta pavarësisht nga përmbytjet, pavarësisht nga papunësia, pavarësisht nga padrejtësitë dhe nga varfëria”.

Rama deklaroi më tej se, është dita për ti respektuar idealet, parimet dhe vlerat që i sollën Shkodrës liri, që i sollën Shqipërisë lirinë. Që e çliruan këtë popull nga ferri i diktaturës komuniste duke u vendosur në radhë të parë sot më shumë se asnjëherë të gjithë bashkë kundër diktaturës së kusarisë, kundër diktaturës së mediokritetit dhe të antivlerave. Kundër diktaturës së padrejtësisë dhe të papunësisë, kundër diktaturës së varfërisë”.

Sipas tij, “të gjitha këto të këqija që i kanë rrënjët në oborrin e një pushteti që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë dhe vrau për të vazhduar të vjedhë”.