Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 08:56

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” në bashkinë e Tiranës, Edi Rama reagoi dje pasdite, pas konferencës për shtyp të kryeministrit Berisha, duke hedhur ndaj tij akuza të ashpra, ndërsa u shpreh se “opozita nuk do t’a njohë rezultatin e dalë nga numërimi i votave të kontestuara dhe të hedhura në kutitë e gabuara”.

“Opozita jo vetëm nuk do t’a njohë rezultatin e fabrikuar të kësaj maskarade, po nuk do të njohë më as qeverinë tënde, e cila tashmë nuk po ua vjedh më tinëz, si dy vjet më parë votën qytetarëve, por hapur, me një paturpësi të etur në sy të miliona shqiptarëve dhe të miqve ndërkombëtarë”, tha Rama

Sipas tij, Berisha po bën rolin e konsulentit juridik të KQZ-së” dhe i bëri thirrje që të ndalojë, atë që e quajti “maskaradë”.

“Tërhiqi vjedhësit e tu nga rruga qorre e grabitjes së fitores sonë në tavolinë përpara se të jetë shumë vonë për të gjithë, por në radhë të parë për ty”, u shpreh Rama.

Sipas tij, “duhet ndalur ajo që po ndodh në KQZ dhe argumentat që po jepen për të numëruar votat e kontestuara, janë qesharake” .

Duke e cilësuar si “fitoren më të bukur në Tiranë dhe fitimtaren e 8 majit”, Rama theksoi se “për të vënë në fund këtë regjim, të gjithë do të ngrihen në këmbë për të lexuar çdo votë”.

“Është duke u hapur një hendek i madh mes botës demokratike dhe Shqipërisë, mes shqiptarëve dhe aspiratave të tyre për jetën në këtë vend, mes një populli të tërë dhe të ardhmes së vet evropiane”, tha kreu socialist.

Rama u shpreh se “kjo krizë, e cila po thellohet është një kosto për rrugën drejt integrimit në BE”.