Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 07:28

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje në Peshkopi, në një takim elektoral, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për të ardhmen” për kreun e bashkisë së qytetit, Ilir Vraniçi, se ne së bashku mund ta transformojmë rrënjësisht të gjithë Dibrën, Peshkopinë.

“Mund ta transformojmë dhe ta kthejmë njëkohësisht të gjithë këtë hapësirë në një hapësirë ku të ketë punë për të gjithë dhe çdo kënd që do të jetojë me punë të ndershme dhe ku do të ketë një rrugë drejt të ardhmes për çdo familje të zakonshme. Kjo është plotësisht e mundur dhe kjo do të realizohet duke filluar nga 8 maji me votën tuaj”, tha Rama.

8 maji, tha Rama, është dita për të votuar në radhë të parë si qytetarë, si familjarë, si njerëz që mbi të gjitha kanë dinjitetin e tyre dhe nuk pranojnë të sundohen, por meritojnë të mirëqeverisen. “E mbi të gjitha ju takon demokratëve të zakonshëm të këtij vendi, njerëzve të zakonshëm, atyre që realisht besojnë në një rrugë tjetër, që t’i japin fund rrugëtimit në rrugën qorre të Saliut, në rrugën e papunësisë, të padrejtësisë, të varfërisë”, tha Rama.