Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 16:59

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një takim elektoral në bashkinë e Librazhdit, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Enver Koçi, tha se në 8 maj është dita që çdo qytetar të përdorë fuqinë që i jep demokracia.

Ai iu bëri thirrje banorëve të këtij qyteti që në 8 maj të shkojnë në kutinë e votimit “si në një demonstratë popullore të vullnetit sovran, për të çliruar shoqërinë nga kthetrat e këtij pushteti, i cili ka cënuar demokracinë, ka gjunjëzuar drejtësinë dhe po rrënon ekonominë”.

Ai shprehu bindjen se “Aleanca për të ardhmen” do ta rifitojë bashkinë e Librazhdit “për të çuar përpara një punë të nisur me një kandidat që është një përfaqësues i denjë i qytetarisë së Librazhdit, me një kandidat për të cilin duhet të investojë votën e tij jo vetëm çdo socialist, por edhe çdo demokrat i Librazhdit”.

Rama tha se do t’i dorëzojë kryetarit të bashkisë një projekt, “që ne e kemi bërë në Bashkinë e Tiranës, me nxitjen e deputetit Taulant Balla për Bashkinë e Librazhdit dhe si ndihmë për të rindërtuar sheshin e këtij qyteti dhe për të transformuar të gjitha godinat që e rrethojnë sheshin”, si një kontribut modest në bashkëpunimin mes bashkive tona.