Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 19:06

Tiranë – Kryetari i PS-së, Edi Rama, njëkohësisht kandidat i saj për kryetar i Bashkisë së Tiranës, ishte sot në njësinë bashkiake nr. 6 në Kombinat, ku kandidat për koalicionin e majtë “Aleanca për të Ardhmen” është Krenar Cenollari.

Në takimet derë më derë me banorët kryetari socialist nënvizoi nevojën e vazhdimit të transformimit edhe brenda shtëpive të banorëve të Kombinatit.

“Gjithë këtë transformim të madh që ne i kemi bërë Kombinatit, duhet ta çojmë përpara, duke filluar të transformojmë jetën brenda shtëpisë, jetën ekonomike të shqiptarëve dhe të familjeve të Kombinatit, që jetojnë në mes të Tiranës në varfëri e në papunësi”, u shpreh kryetari i PS-së.

Rama në bashkëbisedim me banorët e kombinatit është shprehur për rritjen e fuqisë blerëse dhe kjo, sipas tij, bëhet duke rritur punësimin dhe rritur konkurrencën.

“Duhet të shkatërrojmë monopolet dhe që të shkatërrojmë monopolet duhet të shkojmë tek burimi i së keqes, që është atje në tryezën e qeverisë. Duhet të largojmë qeverinë që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë”, tha Rama.