Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 11:18

Mamurras – Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë prezantimit të kandidatit socialist për kryetar të njësisë bashkiake nr. 4, Vait Kalaja, premtoi se koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” do t’i japë vendit një mundësi dhe rrugë të re zhvillimi.

“Ne jemi këtu për t’i dhënë vendit një mundësi të re dhe një rrugë të re të transformimit rrënjësor të territoreve të banuara nga shqiptarët në çdo qytet e fshat, ku është koha për një zhvillim të një natyre krejt tjetër”, tha kreu i PS-së.

“Ne, vijoi ai, shkojmë përpara në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm urban, i cili është një model suksesi i pakonkurueshëm, një model suksesi që flet vetë jo vetëm për çka është realizuar deri më sot por edhe për të gjitha shtigjet e hapura të projekteve që ne do të realizojmë për të nesërmen”.

Nga ana tjetër, Rama akuzoi maxhorancën se nuk ka një model zhvillimi, pasi ato janë të dështuara.

“Unë vazhdoj të pyes Saliun, që flet për alternativë, a ka mundësi ta na tregojë një qytet apo një komunë të Shqipërisë ku ne të mund të shohim se cili është modeli i tyre i zhvillimit? E kërkojnë votën më kot kudo ku më 8 maj qytetarët do të kenë mundësinë të bëjnë një investim të sigurt për të ardhmen e komunitetit të tyre, për zhvillimin urban ekonomik dhe social në qytetin apo komunën e tyre”, tha Rama.

Ndërsa në takim me elektoratin socialist në Mamurras, Rama përsëriti mesazhin se “Aleanca për të Ardhmen” është e vetmja alternativë. Ai ftoi qytetarët të votojnë përfaqësuesit e denjë të opozitës duke premtuar se në Mamurras ndryshimi do të vazhdojë edhe në katër vitet që vijnë.