Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 11:04

Tiranë – Kryetari i PS-së, Edi Rama, prezantoi të enjten pasdite në njësinë bashkiake nr. 2 në Tiranë  kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Artemon Cukalla, ndërsa premtoi për qytetarët se do të vazhdojnë projektet për një Tiranë europiane, ku shtohen rrugët, shkollat, parqet e gjelbërimi.

Në fjaën e tij në mitingun e organizuar me këtë rast, Rama tha se më 8 maj qytetarët do të vendosin për të ndryshuar politikën kombëtare mbi territorin dhe do të jenë ata vendimmarrësit që nuk do të lejojnë që qyteti të kërpudhëzohet ashtu siç ndodh në Kashar, Kamzë e Paskuqan, ku qeveris Saliu.

“Tiranën ne e duam si një qytet të bashkëjetesës qytetarë dhe demokratike mes të gjithëve. E duam si vendin ku realizohen ëndrrat dhe shpresat e atyre që vijnë nga familje të vjetra tiranase dhe atyre të tjerëve që lindin në familje të reja”, tha Rama.

“Është shumë e rëndësishme, vijoi ai, që të gjithë qytetarët ta shohin 8 majin si ditën kur duhet të marrin pjesë në një vendimmarrje me rëndësi kombëtare. Zgjedhjet e 8 majit janë thelbësisht politike, se qytetarët më 8 maj do të zgjedhin kryetarët e njësive vendore, që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me territorin dhe menaxhimin e tij. Është dita për të ndryshuar rrënjësisht politikën kombëtare mbi territorin”.

Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme kryetari i PS-së ishte në komunën Dajt për të dhënë mbështetjen e tij për kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Kujtim Qefalia, i cili konkuron për një mandat të dytë në këtë zonë.

Në bisedat e zhvilluara me banorë të komunës, Edi Rama mori pohime vlerësuese për punën e kryetarit të komunës Dajt. Apeli i kreut të PS-së Ramës edhe në këtë komunë ishte për pjesëmarrje masive në votim.

“Mos rrini pa punë më 8 maj. Kush është i papunë dhe më 8 maj rri pa punë nuk ka shans të gjejë punë më mbrapa, sepse rruga për të gjetur punë është që kur të vjen dita të votosh, të mos rrish pa punë, por të votosh vetë dhe të bësh të votojnë të gjithë të tjerët, në mënyrë që të marrësh hakun që të takon”, u shpreh kryetari socialist.