Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 19:34

Tiranë – Koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” zhvilloi sot në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet mitingun përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit.

Kryetari socialist, Edi Rama, i cili në këto zgjedhje kërkon mandatin e katërt për kryetar bashkie të Tiranës u shpreh gjate fjalës së tij se, “Aleanca për të Ardhmen” është e vetmja rrugë e çdo njeriu që beson tek liria, tek mundësite, tek puna , ndershmëria dhe bashkejetesa qytetare, pavaresisht përkatesive partiake.

“Ju garantoj se nesër do të mbërrijmë aty ku na çon detyrimi ynë, sepse asgjë nuk është e pamundur për ne. Ne jemi rruga e çdo njeriu të zakonshëm, që beson tek Shqipëria, që beson tek energjia dhe talenti, e që beson tek mundësitë e çdo fëmije të këtij qyteti, që beson tek puna, ndershmëria, bashkëjetesa, qytetari, pavarësisht përkatësive krahinore fetare, partiake, e ngjyres së lëkurës, gjinisë dhe moshës. Kjo është e vetmja rrugë, rruga e “Aleancës për të ardhmen”, tha Rama.

“Jemi angazhuar në një pakt qytetar për punësimin, për familjen, ku dhe ëndrrat bëhen realitet”, u shpreh Rama, i cili shtoi se, “pakti ynë qytetar është angazhimi ynë solemn për ti hapur luftë papunësisë që kërcënon të ardhmen”

“Ne, theksoi Rama, “jemi për universitetet me diploma të ekselencës, por jo për universitete që prodhojne diploma pa vlere. Jemi angazhuar për t’i bërë lehtësira me reforma fiskale çdo biznesi. Jemi për të bërë shtet duke ndërtuar një administratë publike pa presione për nënpunësit. Jemi angazhuar për një plan zhvillimi strategjik për zhvillimin e Tiranës dhe Shqipërisë. Ky është pakti ynë qytetar, angazhimi i “Aleancës për të ardhmen”, sepse kjo është e vemja rrugë”.

Sipas Ramës, “çdo qytetar i Tiranës duhet të votojë “Aleancën për të Ardhmen” për fëmijët e tij. Çdo i papunë duhet të votojë për ne, sepse është e vetmja rrugë për ta gjetur një punë. Një sipërmarrës i vogël duhet të votojë për ne sepse ne jemi e vetmja rrugë për ta çliruar nga taksat”.