Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 21:09

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, në një komunikim me mediat të enjten në mbrëmje, kërkoi numërim deri në fund dhe pa ndërprerje të kutive të votimit në Tiranë.

Duke prezantuar kryetarin e ri të bashkisë së Krumës, përfaqësues i PS-së, Rama u rishpreh i sigurt për fitoren e opozitës në Tiranë.

“Këtë herë në Tiranë do të kemi një rezultat të pazakontë, të ngushtë, por kjo është më e bukura në vargun e katër fitoreve të radhës, është një fitore e qytetarëve që me pjesëmarrjen e tyre masive bllokuan një skemë deformimi të vullnetit sovran të popullit të kryeqytetit”, tha Rama.

Kreu i PS-së falenderoi ambasadorët e SHBA-së, të Holandës dhe të BE-së, në Tiranë, të cilët, siç tha ai, “kanë treguar një gatishmëri mbresëlënëse për t’u gjendur pranë popullit të kryeqytetit në ndjekje të një procesi të vështirë, duke garantuar më shumë qetësi”. Rama shprehu nje falenderim për shefin e misionit të ODIHR, i cili së bashku me vëzhguesit “ka qënë pranë popullit kryeqytetas për të ndihmuar procesin që të mos hyjë në një rrugë pa krye”.