Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 06:01

Rama: Berati i fshirë nga kujtesa e qeverisë

 

Tiranë – Kreu i PS-se, Edi Rama, akuzoi qeverinë për mungesë vemendjeje ndaj Beratit, gjatë një mitingu elektoral që zhvilloi dje pasdite në këtë qytet.

Duke prezantuar kandidatin e “Aleancës për të ardhmen” për bashkinë e Beratit, Fadil Nasufi, Rama tha se “me vizionin, idetë dhe projektet që ka bashkia dhe Fadil Nasufi, mund të kryhet një transformim i atillë që të shumëfishohet ekonomikisht e ardhura, jo vetëm për qytetin, por edhe për çdo familje të zakonshme beratase, që të kthehet ky qytet në një pikë referimi për zhvillimin ekonomik, duke u bazuar tek vlerat e mëdha që ka krijuar dora e njeriut, por edhe gjithë ato të mira që i ka dhënë zoti Beratit dhe të gjithë kësaj zone”.

“Shikojeni lumin, është një pasuri e lënë në mëshirë të fatit, është një pasuri e braktisur, e cila, nga një burim mirëqenie, është kthyer shpesh here në një burim fatkeqësish, duke dalë nga shtrati e duke dëmtuar prona e rënduar ekonominë familjare, ndërkohë që ky lumë, me një projekt të mbështetur në një vizion të integruar zhvillimi, mund dhe do të kthehet në një nga burimet më të rëndësishme për tërheqjen e investitorëve, turistëve dhe rritjen ekonomike të Beratit”, tha Rama.

Po kështu, sipas Ramës, nxjerrja në dritë e gjithë pasurisë historike dhe artistike e Beratit, do t’i jepte një tjetër përmasë të jashtëzakonëshme atraksionit për turizmin dhe rritjes së ekonomisë së qytetit.

Duke i cilesuar zgjedhjet e 8 majit si politike, Rama tha se “vota e 8 majit është një votë politike, jo thjesht për të ndarë rrugën e Saliut dhe rrugën tonë, në kuptimin e demokracisë, drejtesisë dhe ekonomisë, por për të ndarë në kuptimin e trajtimit të qyteteve tona, që kanë nevojën për dorën e bashkisë dhe për mbështetjen e fuqishme të qeverisë, e një qeverie që duhet të këtë sy për të parë e vlerësuar pasuritë e paçmueshme të këtij vendi”.