Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 18:25

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha siguroi sot qytetarët pukianë se “në 4 vitet e ardhshme Puka do të shndërrohet në një nga trevat më të rëndësishme të turizmit malor dhe një nga vendet më tërheqëse për investimet e huaja”.

Kryeministri Berisha zhvilloi paraditen e sotme një takim elektoral me qytetarët e Pukës, ku shprehu mbështetjen për kandidatin Beqir Arifaj, i cili garon për kreun e kësaj bashkie nën siglën e koalicionit “Aleanca për qytetarin”..

Duke u ndalur te investimet që qeveria ka kryer për këtë rreth, Berisha tha se janë investuar mbi 22 milionë dollarë në rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime, shkolla, shërbim shëndetësor dhe ferma bujqësore. “Ne kemi asfaltuar rrugë, kemi ndërtuar ujësjellësa dhe shkolla, por unë angazhohem se gjatë 4 viteve që vijnë do të 6- fishojmë investimet për këtë rreth”, tha Berisha.

Kryeministri siguroi se Puka do të shndërrohet në një qytet të zhvilluar dhe do të asfaltohet çdo kilometër rrugë e këtij rrethi nga Fierza deri në Koman, si dhe do të lidhet çdo komunë me rrugët kombëtare, me rrugë të asfaltuara. “Ne do të ndërtojmë ujësjellësa për furnizimin 24 orë me ujë, do të rindërtojmë çdo shkollë dhe kopsht sipas standardeve europiane dhe do të bëjmë gjithçka për Pukën turistike të bukurive mahnitëse”, tha Berisha, ndërsa garantoi se pasuritë e mëdha të tokës dhe nëntokës së këtij rrethi do të shndërrohen në vlera për qytetarët e saj.

Kreu i Qeverisë solli në vëmendje disa prej arritjeve kryesore të kësaj maxhorance, siç është anëtarësimi i vendit në NATO, liberalizimi i vizave, rritja e rrogave dhe pensioneve dhe shndërrimi i Shqipërisë në një destinacion turistik botëror.

“Në mbarë Shqipërinë janë ndërtuar dhe rindërtuar 8 mijë kilometra rrugë, përfshirë korridorin e kombit. Gjithashtu në në një hark të shkurtër kohor ne rindërtuam mbi 1200 shkolla dhe i pajisëm ato me internet”, tha Berisha, ndërsa premtoi se gjatë 4 viteve të ardhshme në Pukë do të ndërtohet Pallati i mbyllur i Sportit.

“Kjo është alternativa jonë ku ju jeni arkitektët e saj, sepse qeveria ka bërë reforma, por mbështetja e qytetarëve ka qenë vendimtare. Krahas kësaj rruge është opozita me rrugën e vetme, një sllogan i marrë nga etërit e tyre, por që nuk ka domethënien që kishte në kohën e Partisë së Punës”, tha Berisha.

Sipas tij, Edi Rama ka votuar kundër interesit të qytetarëve shqiptarë, kundër anëtarësimit në NATO, heqjes së vizave dhe tani kundër amnistisë fiskale sepse ai lufton njëkohësisht për karrigen e kryeministrit, kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të PS-së.