Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 16:01

Tiranë – Partia Socialiste, duke kundërshtuar aktin e miratuar sot nga KQZ për  rivlerësimin e fletëve të kontestuara në Tiranë, deklaroi se e vetmja rrugë për të larguar qeverinë është rruga e revoltës popullore.

Në një deklaratë për mediat kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, duke iu referuar vendimit të marrë nga KQZ, tha se “sot populli opozitar është sfiduar nga një regjim diktatorial dhe kusar që ditën për diell përmbysë rezultatin e parë dhe të dëgjuar nga miliona sy e veshë drejtpërdrejti në ekranin e numërimit, me një transparencë të paparë në historinë e vendit”.

Ruçi tha se sot për ne ka vetëm dy rrugë ose të ulim kokën dhe t’i nënshtrohemi diktaturës së faktit të kryer, që vazhdon të vjedhë votën për të vjedhur Shqipërinë, ose të ngrihemi në këmbë të gjithë në çdo qytet dhe të përballemi me zemër dhe trup për të larguar njëherë e mirë këtë diktaturë”.

“Zgjedhja jonë është e qartë, e vetmja rrugë për ne është rruga e revoltës popullore, që nga kryetari i opozitës deri tek çdo deputet e tek çdo kryetar i sapozgjedhur bashkie apo komune”, tha Ruçi.

Apeli ynë për çdo qytetar, shtoi ai, “është të bashkohet me ne paqësisht, por vendosmërisht”.