Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 17:31

Tiranë – Policia e Shtetit, në një komunikatë shpërndarë pak çaste më parë për mediat, deklaroi se situata në të gjithe vendin paraqitet e qetë.

Sipas Policisë, deri në orën 16.30 nuk janë evidentuar probleme lidhur me qëndrimin e policisë gjatë procesit zgjedhor. Nëpermjet komunikates zyrtare, Policia e Shtetit konfirmoi se është në gatishmëri të plotë për përmbushjen e detyrave që i ngarkon ligji në kuadër të procesit zgjedhor dhe për garantimin e rendit e të sigurisë publike.

Sikurse bëhet e ditur nga Policia e Shtetit, nga KQV-të dhe KZQV-të gjatë kësaj periudhe është kërkuar ndërhyrja e policisë me vendim, sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative, vetëm në 6 raste, ku policia ka ndërhyrë sipas vendimit të Komisionit të Qendrës së Votimit.

Gjatë procesit zgjedhor strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë dhe për zgjidhjen e disa incidenteve kryesisht konflikte në Shkodër dhe Tiranë.

Behet e ditur gjithashtu se, me fillimin e punës nga Komisionet e Qendrave të Votimit punonjësit e Policisë së Shtetit, sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative, janë larguar nga të gjitha Qendrat e Votimit, të cilat ishin marrë në ruajtje gjatë natës së mbrëmshme. Nga shërbimet e policisë u morën në ruajtje në të gjithë vendin 4891 Qendra Votimit, 66 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor.