Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 14:40

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi sot në mesditë, në Përmet, kandidatin e koalicionit opozitar “Aleanca për të Ardhmen”, Gilbert Jaçe, për postin e kryetarit të bashkisë së këtij qyteti.

Në fjalën e tij Rama theksoi se 8 maji është dita për të votuar, por dhe për të çliruar mësuesit, mjekët, nëpunësit e shtetit, të gjithë ata që ushqejnë familjet, nga kthetrat e regjimit, që më 8 maj duhet të marrë një mesazh të qartë: “Kurrë më”.

Kreu i PS-së tha se ndërsa kryeministri Berisha flet nëpër Shqipëri për “mrekulli ekonomike” dhe për “një ekonomi që i ka rezistuar tsunamit të krizës botërore” pyetja është se si ka mundësi sot që çdo familje e zakonshme shqiptare nuk i reziston tsunamit dhe rritjes së çmimeve dhe shtrenjtimit të përditshëm të faturave?”

“Kjo është qeveria që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë, e cila ka dështuar duke e goditur demokracinë, duke rrëzuar drejtësinë dhe rrënuar ekonominë. Ndaj më 8 maj, si shqiptarë, të gjithë bashkë të shkojmë në kutitë e votimit dhe të bëjmë një demonstratë të madhe popullore me votën tonë, duke votuar për një ardhme ku secili të ketë mundësi të ushqejë familjen e tij”, theksoi kryetari i PS-së.