Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 10:58

Peqin – Kryeministri Sali Berisha prezantoi mbrëmë kandidatin për kryetar bashkie në Peqin, Ilir Rrushi, si dhe kandidatët për komuna të “Aleancës për Qytetarin”.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha premtoi se “në 4 vitet që vijnë Qeveria shqiptare do të financojë, mbështesë çdo projekt të qytetit të Peqinit, komunave të tij, për të ndryshuar, përmirësuar jetën tuaj, infrastrukturën, mirëqënien e familjeve tuaja, për një Peqin të zhvilluar”.

Berisha u ndal në një sërë arritjesh në Peqin dhe Qarkun e Elbasanit, duke premtuar njëherësh infrastrukturë moderne, sipas standerdeve evropiane në vitet që vijnë.

“Qeveria ka ndërtuar dhe rindërtuar 400 km rrugë ne qarkun e Elbasanit, nga të cilat 60 km në rrethin e Peqinit. Sot në komunat e Peqinit po ndërtohet infrastrukturë moderne, e njëjta me qytetin e Peqinit, e njëjtë me lagjet e Elbasanit dhe Tiranës dhe unë garantoj se 4 vitet që vijnë ju qytetarët e Peqinit, banorët e komunave, do të keni infrastrukturën më moderne, të standardeve evropiane”, nënvizoi Kryeministri.

Më tej, Berisha u ndal në ndërtimin e ujësjellësave në këtë rreth, të shkollave, qendrave shëndetësore, duke garantuar shërbim shëndetësor modern per qytetarët shqiptarë. Ndërsa u ndal tek infrastruktura, Kryeministri u shpreh se “Peqini do të ketë lidhjen e vet me Tiranën, Rrogozhinën me nje infrastrukturë moderne”.

Kryeministri Berisha përmendi një sërë arritjesh historike te vendit tonë si, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave për qytetarët, rritja ekonomike, etj.

“Me mund, djersë, saktifica, ia dolëm që ekonominë më të falimentuar të Evropës ta shndërrojmë në ekonomi që qëndron në krye të rritjes ekonomike për Evropën. Ia dolëm të dyfishojmë pensionet e ulëta, çdo femrer merr sot 110 % më shume se ç’merrte 5 vite më parë”, tha Kryeministri, duke përmendur dhe dyfishimin e eksporteve, si dhe subvencioninim e fermerëve për ullishta, vreshta dhe dru frutorë të tjerë.

“Kjo është alternativa jonë, e mundit, e djersës, nderit dhe dinjitetit, me të cilën ne ia kemi dalë që ëndrrat e mëdha t’i shndërrojmë në realitet. Nga viti 2005, Shqipëria si asnjë vend tjetër në Evropë ka ulur varfërinë, ndërkohe që krahas kësaj alternative, ekziston edhe ajo e shpifjes, trillimit, mashtrimit nga lidershipi i opozitës”.