Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 11:58

Tiranë – Kreu i Misionit Vëzhgues Zgjedhor të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet, deklaroi sot se “procesi zgjedhor në Shqipëri për zgjedhjen e drejtuesve lokalë ishte transparent dhe konkurues, por u organizuan me një ambjent tejet të polarizuar dhe të mungesës së besimit mes partive”.

Gjatë prezantimit të raportit paraprak për zgjedhjet vendorë të 8 majit, Stonestreet falenderoi palët në këtë proces për bashkëpunimin e tyre me misionin vëzhgues, ndërsa vuri në dukje se “ashtu sikurse në zgjedhjet e mëparshme, të dy partitë politike nuk i kryen detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme, duke ndikuar në mënyrë negative në administrimin e të gjithë procesit”.

Sipas tij, ata abuzuan me rolin e tyre në administrimin zgjedhjeve për të vazhduar betejën politike dhe deklaratat e tyre vinin në pikëpyetje integritetin e administrimit të zgjedhjeve, duke kontribuar në uljen e besimit të publikut mbi zgjedhjet.

Duke nënvizuar se partitë politike, PD dhe PS, nuk i caktuan në kohë anëtarët e qëndrave të votimit dhe ata të ekipeve të numërimit, Stonestreet tha se “kjo shkaktoi vështërsi në lidhje me procedurat që janë vënë re gjatë procesit të votimit”.

Ai vlerësoi se dita e zgjedhjeve në vetvete ishte një ditë e qetë, ku votimi vazhdoi relativisht mirë, por procedurat nuk u ndoqën në disa raste.”Puna në qëndrat e numërimit duket se po funksionon mirë me disa përjashtime. Numërimi po ecën në mënyrë të ngadatë dhe ka qënë i paorganizuar në disa raste si dhe ka patur edhe ndërprerje në disa vende”, tha Stonesetret.

Më tej, kreu i misionit vëzhgues tha se këto zgjedhje kishin edhe aspektin pozitiv, që vunë themele për progresin e mëtejshëm si, përmirësime në listat e zgjedhësve, puna e kolegjit zgjedhor për të vendosur mbi ankimimet që janë bërë ditët para zgjedhjes dhe një ambient mediatik pluralist.

Në raportin paraprak, misioni vëzhgues i ODIHR vlerëson punë e KQZ duke theksuar se funksionoi në mënyrë transparente edhe pse pati ndarje të qarta, por e bëri punë e vet në përgatitjen për zgjedhjet.

“Por, vendimet për çështje u debatuara nga të dyja partitë, u morën në bazë të linjave politike dhe jo në mënyer kolegjiale. Disa prej këtyre vendimeve u kthyen mbrapsht nga Kolegji Zgjedhor”, deklaroi Stonestreet.

Lidhur me Kodin Elektoral në Shqipëri, kreu i misionit vëzhgues nënvizoi se “ai vë baza apo themele teknike të plota për zgjedhje demokratike nëse zbatohet siç duhet, ndonëse nuk merren parasysh aspekte specifike të zgjedhjeve vendore”.

Në përfundim, Kreu i misionit vëzhgues deklaroi se “OSBE/ODIHR do të vazhdojë të ndjekë këtë proces dhe pasi të jemi laguar nga Shqipëria, duke diskutuar me palët politike dhe me organizata të shoqërisë civile për reformën zgjedhore në të ardhmen”.

Misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR do të publikojnë raportin e tyre përfundimtar pas dy muajsh në të cilin do të rekomandojnë disa çështje për përmirësimin e procesit zgjedhor në të ardhmen. Misioni Vëzhgues Zgjedhor i OSBE/ODIHR-it përbëhet nga 298 vëzhgues nga 30 vende, duke përfshirë 40 vëzhgues afatgjatë dhe 258 vëzhgues afatshkurtër.