Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 18:46

Tiranë – Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it publikoi sot raportin e dytë mbi ecurinë e procesit të zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Misioni vëzhgues vlerëson punën e bërë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në drejtim të miratimit të rregulloreve lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve, por vëren se “në këtë periudhë të raportimit, nuk u respektuan katër afate kohore të procesit zgjedhor”.

“Në përgjithësi, KQZ-ja i ka votuar njëzeri vendimet në lidhje me përgatitjet administrative dhe teknike të zgjedhjeve, por ka votuar me tendenca partiake çështjet e debatuara nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Socialiste (PS)”, thuhet në raport.

Misioni vëzhgues vë në dukje se “shumica e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të) duket se po punojnë me eficencë dhe në kolegjalitet, pa probleme të mëdha. Në pothuajse të gjitha bashkitë ka qendra votimi me më shumë sesa kufiri ligjor prej 1000 votuesit të regjistruar”.

Sipas misionit të OSBE-ODIHR-it, vendndodhja e disa qendrave të votimit është bërë objekt debatesh për shkak se ato janë vendosur në ambjente private.

Më tej misoni vëzhgues vë në dukje se ka disa mospërputhje të vogla në numrin e përgjithshëm të votuesve në Listat Përfundimtare të Votuesve që ka përdorur KQZ-ja dhe numrit të votuesve deklaruar nga Ministria e Brendshme. “Autoritetet vendore nuk kanë ndjekur gjithmonë procedura uniforme të dorëzimit të Listave Përfundimtare të Votuesve pranë KZAZ-ve”, thuhet në raport.

Lidhur më fushatën zgjedhore nga partitë politike, OSBE/ODIHR, vëren se “ato janë intensifikuar në shumicën e zonave të vendit. Ka pasur një theksim të  fortë çeshtjeve vendore, sidomos nga ana e PD-së, ndërsa PS-ja e ka përqëndruar kritikën edhe ndaj punës së qeverisë, sidomos të kryeministrit”.

Sipas misionit vëzhgues, pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve të lartë për qetësi, mjedisi i tensionuar politik i muajve të fundit është pasqyruar në disa incidente të dhunshme të lidhura me fushatën.

Ndërsa përsa i përket pasqyrimit të aktiviteteve elektorale të partive politike nga mediat, misioni vëzhgues pohon se ajo po e mbulon gjersisht fushatën zgjedhore. “KQZ-ja nxorri një vendim ku u kërkohet mediave të transmetojnë kasetat e përgatitura prej partive politike në rast se ato nuk mund të sigurojnë vetë mbulimin e aktiviteteve elektorale në lajmet e tyre. Duket se ky vendim shkon përtej Kodit Zgjedhor duke u dhënë partive kompetencën për të specifikuar shpërndarjen e mbulimit me lajme ndërmjet aktiviteteve të partisë dhe kandidatëve në median private”, përfundon raporti i dytë paraprak i OSBE/ODIHR-it.