Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 18:11

Tiranë – Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, ish koordinatori i OSBE-së për zgjedhjet e kaluara parlamentare në Shqipëri, Volfgang Grossruck duke u kthyer në zgjedhjet e 2009-ës, tha se ato ishin demokratike dhe i kanë plotësuar shumicën e standardeve.

Por, Grosruk ka përmendur dhe edhe faktin se opozita nuk i ka njohur këto zgjedhje dhe se në një demokraci si Shqipëria, BE-ja duhet të luajë një rol  për  nxitjen e kulturës së pranimit të rezultatit nga humbësi.

“Unë kam qenë koordinatori special për vëzhgimin e zgjedhjeve të  2009. Mundëm të thonim bashkë me kolegët e mi, se zgjedhjet ishin demokratike kanë plotësuar shumicën e standarteve ndërkombëtare. Por këto zgjedhje nuk u pranuan nga opozita. Për ne demokraci, do të thotë, që të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe një vend nuk mund të merret peng nga njerëz që nuk pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, kur ato kanë qenë demokratike dhe të lira”, ka deklaruar Grosruk.

Në takimin ndërparlamentar “Ballkani Perëndimor – drejt një Europe më të integruar” janë diskutuar sfidat që hasin aktualisht vendet e Ballkanit në integrimin e tyre europian. Një prej tyre është dhe destabiliteti politik që vihet re kohët e fundit, siç e evidentoi edhe presidenti i Parlamentit Europian.