Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 12:26

Tiranë – Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti, deklaroi sot se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shkeli heshtjen zgjedhore duke bërë propagandë elektorale.

Në mbledhjen e radhës së KQZ-së, ku po diskutohet ecuria e deritanishme e procesit zgjedhor, Kosovrasti komentoi deklaratën e Edi Ramës pas votimit të tij në njësinë nr. 7. Nisur nga kjo deklaratë, të cilën e cilësoi si propagandë elektorale, Kosovrasti tha se është shkelur pika 2 e nenit 77 të Kodit Zgjedhor, ndaj dhe kërkoi gjobitjen e Edi Ramës për shkeljen e heshtjes zgjedhore.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që një drejtues i ndonjë partie politike të shfrytëzojë këtë moment për të bërë fushatë dhe propagandë. Shenjat e dëshpërimit të kandidatit të Bashkisë së Tiranës janë të qarta. Më vjen keq që qytetarët tashmë e kanë ndarë mendjen se kujt do i japin votën”, tha Kosovrasti, qëndrimi i të cilit u mbështet  edhe nga përfaqësuesi i LSI-së në këtë komision, Ylli Manjani.

Nga ana e tij, kryetari i KQZ-së, Ristani, kërkoi që të mos bëhet fushatë në KQZ, por të evidentohen vetëm problemet që ndeshen gjatë procesit të votimit.

Ndërsa, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjoncaj, nuk pranoi të bënte ndonjë koment mbi këtë çështje, por kërkoi që partitë politike të interesohen për të zgjidhur çështjet teknike të procesit zgjedhor.

Në këtë drejtim, Gjoncaj ngriti shqetësimin e bojës matrikuluese, e cila sipas tij, rezulton se mund të fshihet lehtësisht pas votimit.