Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 14:48

Tiranë – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në një takim me delegacionin e Komisionit të Punëve të Brendshme të Parlamentit të Republikës Federale të Gjermanisë i njohu ata me përgatitjen e proçesit zgjedhor të 8 majit dhe me reformimin e Policisë së Shtetit.

Ministri Nishani informoi anëtarët e parlamentit gjerman se procesi i hartimit të listave zgjedhore është ndërtuar mbi bashkëpunimin mes qeverisjes qendrore me qeverisjen vendore dhe se këto lista burojnë nga Regjistri Kombëtar Elektronik i Shtetasve, ndërkohë qe dokumentat e identitetit për të votuar janë të standarteve më të larta europiane.

Delegacioni drejtohej nga Zv.kryetari i Komisionit të Punëve të Brendshme të parlamentit gjerman, Frank Hofmann dhe shoqërohej nga ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Muller Holtkemper, të cilët vlerësuan masat e ndërmarra për zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm dhe shprehën rëndësinë e forcimit të klimës së besimit dhe bashkëpunimit mes forcave politike në vend.

Ministri Nishani shtoi gjithashtu se punonjësit e Policisë së Shtetit të angazhuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve janë të mirëtrajnuar edhe me mbështetjen e OSBE, ndërsa në lidhje me reformat u shpreh se janë përmbushur në kuadër të kushteve të BE-së.