Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 16:26

Pogradec – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një takim me gazetarët e Korçës ditën e diele, duke shprehur bindjen se në Korçë dhe Pogradec, më 8 maj do të fitojë koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, sulmoi ashpër kryetarin e bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, i cili sipas tij, kërkon votat e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por ka larguar nga sheshet e qytetit bustet e dëshmorëve të Atdheut.

“Kryebashkiaku në largim i Pogradecit, është një shembull nga më të këqinjtë, pasi kërkon të marrë votat e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por ka larguar bustet e dëshmorëve dhe heronjve të kësaj lufte nga sheshet e qytetit, duke filluar me bustin e Kajo Karafilit dhe të shumë të tjerëve, sa herë që ka dhënë leje ndërtimi për shokët dhe miqtë e tij”, tha Meta.

Duke vazhduar, Meta tha se në Korçë, Pogradec, Bilisht dhe Ersekë, do të fitojë koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, pasi sipas tij, kjo gjë u provua 4-5 muaj më parë në zgjedhjet në komunën e Trebinjës, rrethi i Pogradecit, ku u formua për herë të parë ky koalicion dhe fitoi bindshëm edhe pse shumkush më parë nuk e besonte.

“Do të fitojë vetë filozofia e këtij koalicioni që është një koalicion për qytetarin, do të fitojë filozofia që është një koalicion që ndërton dhe jo një koalicion si ai tjetri, që shkatërron dhe heq bustet e heronjve nga sheshet, siç ka bërë kryebashkiaku i Pogradecit”, tha Meta.

Duke përfunduar, Meta, tha se koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka filozofinë e gjithëpërfshirjes, ku të gjithë të ndihen pjesë e vendimarrjes, gjë që do të ndikojë për përmirësimin e jetesës të të gjithëve.