Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 08:57

Durrës – Lëvizja Socialiste për Integrim çeli mbrëmë fushatën e saj elektorale në Durrës, dukë kërkuar nga anëtarët dhe simpatizantët e saj të votojnë për alternativën e paraqitur së bashku me Partinë Demokratike në kuadër të koalicionit qeverisës “Aleanca për qytetarin”.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta tha në fjalën e tij përshëndetëse se “LSI prej vitesh ka paraqitur alternativën që bashkon Shqipërinë me Evropën”.

“Ne po japim mbështetje të plotë për një bashki larg sherreve politike- shtoi më pas Meta, sipas të cilit kandidatët e “Aleancës për qytetarin” do ti japin mësimin më të mirë “Aleancës së betonit”, siç e quajti ai koalicionin opozitar.

Në bashkëpunim me sipërmarrjen e lirë dhe me qeverisjen qendrore bashkitë ku do të fitojë koalicioni qeverisës më 8 maj do të realizojnë projektet më të mira për qytetarët, tha Meta”.

Deputeti Lefter Koka duke iu drejtuar pjesmarrësve të shumtë në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” tha se Durrësi më 8 maj do të votojë larg pasioneve politike.  Ai e konsideroi të dështuar qeverisjen vendore të kryebashkiakut aktual Vangjush Dako, i cili sipas Kokës, përveç detyrimit ligjor ka harruar edhe detyrimin moral që ka marrë ndaj qytetarëve durrsakë kur u zgjodh në vitin 2007.

Kandidati i “Aleancës për qytetarin” Ferdinand Xhaferraj vlerësoi qeverisjen e përbashkët të Partisë Demokratike dhe LSI gjatë këtij mandati.

“Përballë një kundërshtari politik që e ka mbështetur fushatën e tij te fyerja dhe shpifja, forcat tona politike të bashkuara në koalicionin “Aleanca për qytetarin” do të tregojnë se jemi alternativa më e mirë në të gjitha komunat dhe bashkitë-nënvizoi Xhaferraj, i cili falenderoi LSI për mbështetjen që po i jep projektit “Durrësi meriton më shumë”.

Sot pasdite drejtuesit e LSI prezantuan në komunën Gjepalaj kandidatin e kësaj force politike dhe të “Alencës për qytetarin”, Ardian Kokomani.