Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 09:31

Shkodër – Përmes një takimi festiv të organizuar në fshatin Trush të komunës Berdicë, Partia Republikane, pjesë e koalicionit së mazhorancës “Aleanca për qytetarin” hapi fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit, duke prezantuar kandidatin e saj, përfaqësuesin e Partisë Republikane, Qamil Gjyreta.

Krahas kreut të republikanëve, Fatmir Mediu dhe stafit të tij ishin edhe pjesëtarë të koalicionit së mazhorancës, prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, deputeti i zonës Gjok Uldedaj etj.

Bazuar në rezultatet e arritura gjatë dy mandateve të mëparshëm radhazi në krye të kësaj komune, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, e ka quajtur kryekomunarin Qamil Gjyreta, si njeriun e punës dhe të veprave në dobi të komunitetit, i cili falë angazhimit të tij serioz në kryerjen e detyrave, ia ka ndryshuar faqen tërësisht kësaj komune.

“Unë ju sjell përshëndetjet e përzemërta të kryeministrit Berisha, i cili ka garantuar se qeveria do të mbështese fuqimisht kryetarin e kësaj komune Qamil Gjyreta në zbatimin e projekteve për zonën e Nënshkodrës, dhe në veçanti për atë të Berdicës, ndër të cilat është edhe thellimi i Bunës, që krahas garancisë për evitimin e përmbytjeve, kësaj zone e cila kufizohet në një pjesë të madhe me Bunën, do t’i krijohen avantazhe edhe në drejtim të turizmit”, tha Mediu.

Kandidati republikan Qamil Gjyreta, i cili kërkon mandatin e tretë radhazi në drejtimin e komunës së Berdicës, gjatë fjalës së tij, ka përmendur disa nga rezultatet e arritura në 7 vitet e drejtimit të tij në krye të kësaj komune të rëndësishme të zonës së Nënshkodrës. Ndër to, ai veçoi ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve, të ujësjellësit i cili garanton furnizimin e plotë me ujë të pijshëm, përmirësimin e ndjeshëm te infrastrukturës së rrugëve, mbështetja sociale për komunitetin, si dhe zbatimi i projekteve bashkëkohore për fermerët e kësaj zone.