Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 16:06

Tiranë – Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona McIlwham, bëri sot thirrje për një proces zgjedhor sa më pozitiv dhe transparent.

Zyra e shtypit e ambasadës bëri të ditur se në deklaratën e saj, dy ditë para procesit të votimit, McIlwham, thekson se “këto zgjedhje janë një mundësi e rëndësishme për Shqipërinë”.

“Ato janë një mundësi për të gjithë shqiptarët që zëri i tyre të dëgjohet dhe ata të vendosin për politikat vendore, një mundësi për zyrtarët, politikanët, komisionerët dhe policinë, që të punojnë së bashku për të mbështetur qytetarët e tyre dhe një proçes pozitiv e transparent”, thuhet në deklaratën për mediat.

Ambasadorja nënvizon se “këto zgjedhje janë edhe një mundësi për Shqipërinë për të forcuar më tej përparimin e saj si një komb demokratik evropian. Unë shpresoj se Shqipëria dhe shqiptarët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi”.

Duke uruar sukses më 8 maj dhe në vazhdimin e reformave, Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona McIlwham, përfundon deklaratën për shtyp duke theksuar se “Qeveria Britanike dëshiron të shohë Shqipërinë duke ecur në mënyrë të vendosur drejt anëtarësimit në BE. Zgjedhjet e suksesshme lokale, të kryera me profesionalizëm dhe integritet, janë jetike për ta arritur këtë”.