Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 10:02

Tiranë – “Lushnja do të jetë në 4 vitet që vijnë një qytet i zhvilluar”, tha Kryeministri Sali Berisha, duke garantuar banorët e Lushnjes se qeveria do të shumëfishojë investimet për këtë qytet.

Kryeministri Berisha përshëndeti tubimin elektoral në Lushnje, në vijim të mbështetjes së kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu bindjen se ditën e hënë do të nisë rrugën fitorja e kësaj maxhorance në mbarë Shqipërinë.

Duke shprehur mbështetjen për Albert Sanxhakun, kandidatin e koalicionit “Aeanca për qytetarin” për kreun e bashkisë së Lushnjes, Berisha garantoi se fitorja e tij në 8 maj do të shndërrohet në një sukses europian për qytetarët e Lushnjes.

“Ne do të ndërtojmë të gjitha rrugët e Lushnjes, Divjakës dhe komunave të këtij rrethi, si dhe do ta përdorim fitoren për të ndërtuar kopshte e shkolla të standardeve më të mira europiane. Do të krijojmë vende të reja pune dhe do të rrisim rrogat dhe pensionet”, tha Berisha.

Kryeministri u ndal te pasuritë e mëdha natyrore të kësaj zone dhe siguroi se ato do të shndërrohen në potenciale dhe vlera për zhvillimin e Lushnjes dhe fshatrave të saj.

Para qytetarëve lushnjarë, Berisha solli në vëmendje arritjet historike të kësaj maxhorance, si anëtarësimi në NATO dhe lëvizja e lirë. “Ne ngritëm Shqipërinë e falimentuar në Shqipërinë që kryeson rritjen ekonomike në Europë”, tha Berisha, duke siguruar se Lushnja do ta shndërrohet në qytet universitar dhe turistik, si dhe do të ketë fermat më të zhvilluara të rajonit.

“Ju garantoj se çdo votë për “Aleancën për qytetarin” do të jetë votë për rrugë e rrugica të standardeve europiane, shkolla, spitale e shërbime të standardeve europiane, do të jetë votë për ferma të standardeve më të mira dhe për turizëm të nivelit më të shkëlqyer”, tha Berisha.

Ndërsa ftoi qytetarët e Lushnjes që të votojnë në 8 maj për koalicionin “Aleanca për qytetarin”, Berisha theksoi se alternativa tjetër është alternativa e rrugës së vetme.

“Le t’ia lëmë nostalgjikëve të sistemit të shkuar rrugën e vetme dhe ne të ndjekim përpjekjen tonë të përbashkët për Lushnjen dhe Shqipërinë europiane”, tha Berisha.