Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 08:34

Tiranë – Kandidati i maxhorancës për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, nuk ka patur asnjëherë pasaportë amerikane dhe ka përmbushur me transparencë të gjitha deklarimet e tij pasurore, që janë kontrolluar dhe verifikuar në mënyrë të plotë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë.

Ka qenë ky reagimi i zëdhenëses së fushates së kandidatit Basha, Anila Bisha, ndaj deklaratës së deputetit socialist Erjon Braçe, i cili të dielën, duke cituar edhe një shkrim në një të përditshme, renditi disa akuza ndaj kandidatit demokrat, që është në garë përballë kryesocialistit Edi Rama, që kërkon një mandat të katërt  për bashkinë e Tiranës.

“Z.Rama nuk kurseu as ditën e Pashkëve për të lancuar sulmin e tij qesharak, fals dhe të dëshpëruar. Kjo është një përpjekje tjetër e dështuar për të tërhequr vëmëndjen nga problemet e shumta të Tiranës. Në vend që të merrej me to, Edi Rama zgjodhi rrugën e sherreve, konflikteve politike dhe përbuzjen e plotë për të vërtetën”, tha zëdhënësja e fushatës së kandidatit Basha.

Duke iu referuar akuzës se Basha ka qenë i pajisur me një pasaportë amerikane, zëdhënësja sqaroi se në formularin e paraqitur nga deputeti socialist ka një lapsus, që mund të verifikohet lehtësisht, pasi pasaportat amerikane kanë 9 dhe jo 7 shifra.

“Pasaporta me numër 0160138  është pasaportë shqiptare. Kjo pasaportë i përket Lulzim Bashës. Lulzim Basha ka patur gjithmonë pasaportë shqiptare”, vijon deklarata e zëdhënëses së fushatës së kandidatit Basha, në të cilën nënvizohet se “qytetarët e Tiranës tashmë e kanë kuptuar se ky është një sulm tjetër absurd kundër të vërtetës. Më 8 maj ata do të japin një mesazh të fortë. Ditëve të gënjeshtrave dhe betejave politike u ka ardhur fundi”.