Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 13:40

Tiranë – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, prezantoi një ditë më parë kandidaten e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kreun e Komunës Ndroq, Fatime Goga.

Duke theksuar se vota për kandidatët e “Aleancës për Qytetarin” është një votë për qytetarët, për vënien në jetë të projekteve të tyre, Meta ftoi banorët të votojnë Gogën më 8maj.

“Do të jetë një progres i rëndësishëm për të gjithë Shqipërinë, sepse mesazhi i “Aleancës për Qytetarin” ka qenë dhe mbetet shumë i qartë, këto janë zgjedhje në të mirën e komunitetit”, u shpreh ai.

Meta theksoi se fushata e kandidatëve tanë është bazuar mbi projektet që përmirësojnë jetën e çdo komuniteti dhe jo mbi gjuhën e konfliktit politik.

Ai e cilësoi koalicionin qeverisës si koalicionin më gjithëpërfshirës, më progresist, i cili si qëllim të tij ka pasur integrimin e Shqipërisë në Evropë, liberalizimin e vizave dhe nga suksesi i arritur përfituan të gjithë.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, premtoi mbështetjen maksimale të qeverisë për këtë komunitet dhe për projektet që znj. Goga do të paraqesë.

Ai tha se vota për kandidaten Goga është votë për realizimin e të gjithë kërkesave të kësaj komune. “Më datë 8 maj, çdo banor i kësaj zone, jo vetëm demokratët dhe anëtarët e LSI-së, por që të gjithë të shkojnë të votojnë, të japin votën për Fatime Gogën, për zgjidhjen e problemeve dhe për zhvillimin e kësaj zone”, përfundoi ministri Nishani.