Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 18:45

Lezhë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në takime me qytetarë të Lezhës, ku konkuron kandidati i maxhorancës,Viktor Tushaj, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 8 majit.

Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD-së, tha se lezhjanët do të votojnë në sintoni me shumicën e shqiptarëve, për qeverisjen demokratike, për qeverisjen e zhvillimit dhe integrimit.

“Më 8 Maj të përpiqemi, që para çdo pune tjetër, të shkojmë tek kutia e votimit. Është shumë e rëndësishme që të punojmë edhe me ata që në zgjedhjet e fundit kanë gjykuar se ne fitojmë. Çdo votë është e shenjtë, çdo votë ka një peshë të rëndësishme në demokraci”, tha ajo.

Sipas Topallit, në të gjithë Shqipërinë, sikurse dhe në Tiranë, ka një frymë përmbysje të rrugës së vetmisë së Edi Ramës, me votë të lirë.

Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se shqiptarët me besimin te demokracia, familja dhe vlerat e saj në çdo qytet dhe komunë do të zgjedhin alternativën e Shqipërisë evropiane.