Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 16:09

Tiranë – Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, duke vlerësuar lart rolin dhe rëndësinë jetike që ka media, veçanërisht në periudhat e fushatave elektorale, shpreh shqetësimin se “në këto ditë të para të fushatës ka një sërë elementësh që tentojnë të kompromentojnë misionin e saj në funksion të transparencës dhe informimit ndaj qytetarit”.

Nëpërmjet një deklarata për shtyp, Koalicioni përgëzon për vendimin e marrë nga disa media vizive, për të mos pranuar kaseta të gatshme prej partive politike, si dhe i kërkon të gjithë operatorëve të tjerë mediatikë, t’u bëjnë rezistencë përpjekjeve të politikës për të kontrolluar informacionin dhe imazhet që ato kërkojnë t’ua përcjellin qytetarëve nëpërmjet tyre.

Sipas koalicionit, partitë politike dhe kandidatët në garë duhet të heqin dorë nga fabrikimi i lajmeve elektorale dhe ushtrimi i presionit ndaj mediave për t’i publikuar ato.

Koalicioni nxit median në tërësi dhe veçanërisht atë elektronike, të jetë sa më e paanshme dhe të krijojë mundësi të barabarta aksesi për të gjithë kandidatët në garë, duke zbatuar me rigorizitet dispozitat ligjore e në veçanti nenin 84 të Kodit Zgjedhor.

Koalicioni i kujton operatorët mediatikë dhe gazetarët e tyre që në organizimin e debateve zgjedhore midis partive politike apo kandidatëve konkurrentë, të ruajnë baraspeshën mes partive politike në debat.

Koalicioni i kërkon Bordit të Monitorimit të Medias të fillojë të funksionojë sa më parë, duke marrë përsipër përgjegjësitë që i ngarkon ligji, për të monitoruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale, si dhe të marrë masat e nevojshme të parashikuar në ligj, ndaj të gjithë operatorëve mediatikë që shkelin ligjin dhe parimet themelore të gazetarisë.