Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 21:45

Kukës – Ka përfunduar sot në mbrëmje procesi i numërimit të votave në qendrën zgjedhore Nr. 34, që përfshinë rrethin e Kukësit me një bashki dhe 14 komuna.

“Gjithë procesi zgjedhor në këtë zonë ka vijuar normalisht dhe të gjitha vendimet janë marrë me mirëkuptim e bashkëpunim mes anëtarëve të komisionit. Një gjë e tillë ka bërë që procesi i numërimit të votave të vazhdojë normalisht dhe pa shkaktuar vonesa të pa justifikueshme”,- tha kryetari i KZAZ-së Nr. 34, Beqir Basha.

Ndër 3 komunat e fundit ishte ajo e Bushtricës, ku kandidati i PLL-së Kujtim Gjoka fitoi me 333 vota kundrejt kandidatit të LZHK-së, Shahir Sula që fitoi 240 vota. Për komunën e Kalisit kandidati Ahmet Shira i PD-së, fitoi me rezultat të ngushtë ndaj kandidatit të PS-së Sehat Daci, me vetëm 3 vota diferencë. Ndërsa, në komunën Arrën, kandidati përfaqësues i PS-së Ilir Doci, fitoi ndaj kandidatit të PD-së Dileman Marku me mbi 100 vota më tepër.

Pas përfundimit të numërimit të të gjitha votive, bashkia dhe 7 komuna janë fituar nga përfaqësues të PD-së, ndërsa një komunë, ajo e Bushtricës, nga PLL-ja. Nga përfaqësues të PS-së janë fituar komunat e Arrnit, Ujmishtit dhe Malziut, ndërsa 3 komuna të tjera janë fituar nga kandidatët e pavarur si Kolshi, Surroji dhe Tërthorja.