Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 20:57

Kukës – Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Dylejman Nela, i zgjedhur nga Partia Demokratike, ka fituar mandatin e pestë në krye të komunës së Shishtavecit në rrethin e Kukësit.

“Pas numërimit të votave rezulton se fitues është kandidati i PD-së dhe kryetari aktual i komunës Dylejman Nela, i cili fitoi 1514 vota kundrejt 472 votave që fitoi kandidatit socialist Xheladin Memishaj”- tha për ATSH-në Beqir Basha, kryetari i KZAZ-së se komunës së Shishtavecit, me nr.34, në të cilën ishin thirrur në votime 3616 votues.

Komuna e Shishtavecit është e dyta në rrethin e Kukësit ku përfundon procesi i numërimit të votave të 8 majit, ndërkohë që në këtë rreth kanë mbetur për t’u numëruar votat e 12 komunave të tjera.

Në rrethin e Kukësit kanë dalë rezultatet për bashkinë e Kukësit dhe komunën e Bicajt, ku kanë fituar kandidatët e PD-së.