Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 09:14

Kukës – Partia Demokratike, dega e Kukësit, ka dënuar ngjarjen e ndodhur mëngjesin të dytëve më parë, kur një sasi tritoli shpërtheu në automjetin e kandidatit socialist për komunën e Shtiqnit, Astrit Cengu, ndërkohë që ka kërkuar zbardhjen e shpejtë të ngjarjes nga policia e shtetit.

Kryetari i degës lokale të PD-së, Ibsen Elezi, në një prononcim për median, tha se “PD-ja e vlerëson ngjarjen e rëndë që nuk i shërben këtij procesi zgjedhor mjaft pozitiv të zhvilluar deri tani dhe momentit historik që po kalon Shqipëria për gjithë procedurën e anërtarësimit të saj në Evropë”. Ndërkohë, ai i bëri thirrje strukturave të policisë së shtetit që të kenë angazhimin maksimal si për këtë ngjarje, ashtu edhe për ngjarje të tjera, për zbardhjen e tyre dhe për heqjen e çdo dyshimi se ngjarja ka prapaskenë politike”.

Elezi theksoi se, “PD dënon ashpër këtë akt e çdo akt tjetër të dhunës. Për ne prononcimi i PS është i nxituar dhe nuk i shërben aspak situatës. Duke e politizuar ngjarjen, kjo është vetëm në dëm të procesit zgjedhor. Jemi të angazhuar që asnjë incident të mos ndodhe gjatë këtyre ditëve deri në mbylljen e procesit zgjedhor”. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e një dite më parë në lagjen nr. 5 të qytetit, ku automjeti tip fouristradë Nisan me targë M – 54 – G është shkatërruar nga një sasi lënde plasëse. Ai drejtohej nga Astrit Cengu, 37 vjeç, kandidat i PS-së për kryetar komune i Shtiqnit. Në këtë incident pati vetëm dëme material dhe asnjë person nuk u dëmtua.