Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 06:58

Kukës – Pas marrjes në dorëzim të kutive të votimit nga KZAZ-ja nr. 34 në bashkinë e Kukësit, rreth orës 03.00 të ditës së sotme ka nisur procesi i numërimit të votave.

Kryetari i kësaj KZAZ-je, Beqir Basha, tha se pas numërimit të 5 kutive të para rezulton se kandidati Hasan Halilaj, përfaqësues i “Aleancës për qytetarin”, udhëheq me 451 vota më shumë se kandidati i “Aleancës për të ardhmen”, Alfred Cengu.

“Procesi i numërimit të votave ka nisur me praninë e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it dhe të partive politike”, bëri të ditur Basha.

Në zonën zgjedhore nr. 34 të rrethit të Kukësit janë për t’u numëruar kutitë e 100 qendrave të votimit, proces pas të cilit do të dalin drejtuesit e rinj të bashkisë dhe të 14 komunave të rrethit të Kukësit.

Për zgjedhjen e tyre në listat e votimit ishin të regjistruar 40 020 persona, prej të cilëve 15 085 në bashkinë e Kukësit.