Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 14:41

Kukës – Mbrëmë, në sallën e pallatit të kulturës “Hasan Prishtina” ne Kukës PS-ja organizoi takimin përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit ku merrnin pjesë anëtarë e simpatizantë të kësaj force politike e të koalicionit të drejtuar prej saj.

Anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj, tha se, “ne ju falenderojmë për angazhimin dhe përkushtimin tuaj për të zgjedhur më të mirët për të qeverisur komunat e bashkitë. Ju këtë radhë duhet të bëheni shembull për të gjithë Shqipërinë”. Ai vuri në dukje se, “zgjedhjet vendore janë mundësia më e mirë për të ndrequr qeverisjen e këtyre zonave ku varfëria është ulur këmbëkryq. Është koha të votojmë kandidatët që afrojnë më shumë dashuri e respekt njerëzor, kandidatët që do të ndërtojnë administratën më të mirë për t’iu shërbyer juve dhe jo për kandidatë që në mbarim të mandatit sillen si aga në Kukës”, tha Malaj.

Duke u kërkuar kuksianëve votën për kandidatët e PS-së, Malaj theksoi se, “ju dhe vetëm ju duhet të vendosni kush i shërbën më mirë Kukësit”.

Kandidati për kryetar të bashkisë së Kukësit, Alfred Cengu, duke përshëndetur të gjithë të pranishmit akuzoi kryetarin e bashkisë për një mori rastesh të dyshimta të shpenzimit të parave të popullit.