Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 14:07

Kukës – Në KZAZ-në nr. 34 në qytetin e Kukësit ka mbërritur e gjithë baza materiale e zgjedhjeve vendore të 8 majit. Kryetari i kësaj KZAZ-je, që përfshin rrethin e Kukësit, Beqir Basha, saktësoi se ” ka mbërritur e gjithë baza materiale, përfshirë kutitë e votimit, fletët e votimit, vulat, etj., dhe gjithçka është gati për një proces normal zgjedhor”.

Ndërkohë, ka përfunduar edhe procesi i përgatitjes së qendrave të votimit në të gjithë rrethin. Janë ngritur 100 qendra votimi për një proces të lirë zgjedhor në bashkinë e Kukësit dhe në 14 komunat e rrethit. “Përgjithësisht qendrat e votimit janë ngritur në objekte shtetërore”, saktësoi Basha.

Në këtë zonë zgjedhore janë regjistruar në listat e votimit 40020 persona, nga të cilët 15 085 zgjedhës në bashkinë e Kukësit, ndërsa pjesa tjetër në 14 komunat e rrethit. Numrin më të vogël të votuesve e ka komuna e Arrnit me 381 votues dhe pas saj komuna e Kalisit me 617 votues.