Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 10:45

Kukës – Numërimi i votave në KZAZ-në nr. 34, që përfshin rrethin e Kukësit, edhe pse me ritme të ngadalta vazhdon normalisht dhe pa problem.

“Ka përfunduar numërimi i 8 kutive të votimit të bashkisë së Kukësit dhe diferenca mes dy kandidatëve ka nisur të thellohet. Kështu kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Hasan Halilaj ka fituar deri tani 2567 vota, kundrejt 1562 votave të fituara nga kandidati i PS-së, Alfred Cengu”, tha kryetari i KZAZ-së nr.34, Beqir Basha.

Procesi i numërimit të votave në këtë zonë zgjedhore ka nisur rreth orës 03.00 të mëngjesit të sotëm dhe po vazhdon pa ndërprerje.

Në bashkinë e Kukësit mbeten për t’u numëruar edhe 10 kuti të votimit dhe më pas do të nisë numërimi i kutive të votimit të 14 komunave të rrethit.

Në listat e votimit të këtij rrethi ishin regjistruar 40.020 persona, prej të cilëve 15085 persona në bashkinë e Kukësit.