Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 18:37

Kukës – Përfundon numërimi i votave të komunës së dytë, asaj të Shishtavecit në zonën zgjedhore nr. 34 të rrethit të Kukësit.

Me një diferencë të madhe nga rivali socialist, për të pestën herë ka fituar kryetari aktual i komunës, përfaqësues i PD-së, Dylejman Nela. Në 9 qendrat e votimit të kësaj komune, ishin të regjistruar 3616 votues.

“Pas numërimit të votave rezulton se fitues është kandidati i PD-së dhe kryetari aktual i komunës Dylejman Nela me 1514 vota të fituara kundrejt kandidatit socialist Xheladin Memishaj qe fitoi 472 vota”,- tha kryetari I KZAZ-së nr. 34 Beqir Basha.

Dylejman Nela fiton për të pestën herë, por si edhe herët e tjera me një diferencë të madhe votash në kandidatin rival. Kjo ka bërë që ai të konsideorhet si kryetari i përjetshëm i kësaj komune malore të rrethit të Kukësit.

Në këtë rreth kanë mbetur për t’u numëruar votat e 12 komunave të tjera.

“Deri tani kemi gjetur mirëkuptimin me njëri-tjetrin, ndërsa do të përpiqemi të përshpejtojmë ritmet e numërimit të votive. Po kështu do të vazhdojmë punën edhe gjatë orëve të natës”,- tha kryetari i KZAZ-së nr. 34 Beqir Basha.

Në këtë rreth rezultatet kanë dalë për bashkinë e Kukësit dhe komunën e Bicajt, ku kanë fituar kandidatët e PD-së.