Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 07:20

Tiranë – Komiteti Shqiptar i Helsinkit apeloi që në zbatim të nenit 54 të Kodit Zgjedhor, Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të), të shpallin listat përfundimtare të zgjedhësve pranë çdo qendre votimi, jo më vonë se data 13 prill 2011.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, KSHH bëri të ditur se nëpërmjet vëzhguesve të tij të akredituar, në datat 14-15 Prill 2011 monitoroi shpalljen e listave përfundimtare në 710 qëndra votimi në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Kukes dhe Korçë.

Gjatë këtij vëzhgimi rezultoi se deri më 15 prill 2011, listat përfundimtare të zgjedhësve në rrethet Elbasan, Korçë, Vlorë, Kukës dhe Gjirokastër janë shpallur në të gjitha qendrat e votimit të vëzhguara, ndërsa në disa qëndra votimit të monitoruara të KZAZ-ve të rretheve Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër ende nuk ishin shpallur listat përfundimtare.

“Nga monitorimi na rezultoi, gjithashtu, se shumica e qëndrave të votimit janë caktuar në ambiente publike, por nuk mungojnë edhe raste të caktimit të tyre në ambiente private, kryesisht në lokale dhe bare të territorit, përgjithësisht me autorizim të KQZ-së. Në Shkodër, tri qendra votimi janë vendosur në ambiente private, por siç u pretendua nga anëtarë të KZAZ-së, për to nuk është marrë autorizim nga KQZ”, thuhet në deklaratën për mediat.

Më tej, KSHH bëri të ditur se vëzhguesit raportuan se, në disa raste, listat përfundimtare të zgjedhësve janë vendosur në vende të vështira për t’u konsultuar nga zgjedhësit. Kështu ndodh që ato janë vendosur shumë lart për t’u parë me sy të lirë, ose janë vendosur brenda ambienteve publike, kryesisht arsimore, të cilat  janë të  mbyllura për një pjesë të ditës.

Për këtë, KSHH i bën thirrje KZAZ-ve që të ndjekin vazhdimisht situatën dhe gjendjen e listave të zgjedhësve në QV përkatëse, sepse ky është një aspekt i rëndësishëm i punës së tyre, që ndikon direkt në ushtrimin e të drejtës së votës nga zgjedhësit.